Ermal
Baboçi

Ermal Baboçi është më eksperimental në kërkimin e tij estetik. Vepra e tij u ndërtua fillimisht e qartë mbi një format akademik, por ngadalë u orientua drejt materialit në laboratorin e pikturës monumentale. Mbi këtë medium të gjetur ai kërkoi raporte formale, konkrete, të cilat herë e gjejnë veten në materiale metali, betoni, druri, a qelqi e herë të tjera në miksimin e tyre mbi suporte të parapërgatitura.
Në edicionin e kaluar Baboçi propozoi kërkimin e vet më të fundëm mbi elementin e xhamit, me të cilin ndërtonte struktura formale abstrakte. Një element disi i huaj për realitetin artistik vendas, ky material ju ofrua vëzhguesit si një dialog ndryshe, i rivitalizuar nga loja e dritës, ftohtësisë, brishtësisë e distancës që të impononte. Aty mes strukturave të abstraguara, gjenin hapsirë pse jo dhe peizazhe formale, elegante e vertikale si një dialog personal mbi materien dhe formën.


Në këtë edicion Baboci vjet edhe më dinamik. Në hapsirën e tij, në dy kate ai gjen mundësinë e ndërtimit të një morie veprash me mediume dhe qëndrime krejt të ndryshme. Kështu aty gjejmë sipërfaqe minimale në beton, ndërthurur me elementin e xhamit e përshkuar e gjitha nga linja fijesh të leshta.
Gjejmë aty dhe sipërfaqe në dru, të ashpra e trasgresive, si eko e artit informal të viteve ’50, ndërkohë mbi tablo formale në vaj vendosen forma të metalta abstrakte. Projekte të tjera vitrazhi, elegante si qytete kozmopolitane ofrohen bashkë me kërkime formash kromatike, të aplikuara mbi dru.
Në katin e dytë Baboçi servir vepra të së kaluarës. Aty bashkë janë vizatimet akademike dhe një seri peizazhesh të abstraguar, frymëzuar nga elementë natyral.
Këto vepra ngjajnë pashmangshmërisht në llogjikë me veprat e viteve të fundit, porse në optikën e artistit ato janë pasuruar të përthyera në materiale të tjera.
Duke i servirur kështu Baboçi ndërton një panel multisensorial, besnik ndaj formës aq sa dhe ndaj materialit në një dialog të vazhdueshëm estetik, që merr spunto nga vitet e largëta të shkollës për tu projektuar në vitet që do pasojnë edhe më dinamike.
Si përfundim ekspozita propozohet e vlerë dhe shumë dimensionale.
Në një pikë të mesme specifke për karrierën e të gjithëve, ajo zë vend konkrete si pikë tranzit mes të shkuarës dhe të tashmes, por tu projektuar shpejt besimplotë në edicionet e tjera, pse jo dhe me kolegë të tjerë.
Ermir Hoxha



